Boom i tregtisë online dhe punës nga shtëpia

Flet Julian Demeti CEO i Albanian Business Partner dhe Gati.al në Webinarin tonë

Transformimi dixhital i bizneseve, është tema që u trajtuan nga Julian Demeti, CEO i Albanian Business Partner dhe Gati.al në webinairn e radhës në Albacademy.

Juli tregoi për audiencën se kjo është një periudhë sfidash por edhe mundësish. Kompanitë duhet të shohin të punojnë aq sa munden, sipas tij. “Kjo është një periudhë produktive. Unë jam vendosur në dhomën e djemve ndërsa po flas në këtë webinar dhe ata po bëjnë detyrat online. Ka mjaftueshëm platforma online dhe mund të punojmë në mënyrë po aq efektive, madje po punojmë më shumë se sa po shkonim në zyrë”, tha Demeti. Ai kujtoi kohën e kursyer vajtje-ardhje në zyrë dhe të shumë takimeve që zhvillonim më parë. Shumë takime tashmë janë kthyer në biseda telefonike dhe videocall.

Sipas Demetit, puna nga shtëpia është produktive dhe mbi të gjitha më dinamike për kompanitë e teknologjisë. “Kompanitë e teknologjisë kanë punë më të shtuar sot, pasi ata që kishin pikëpyetje nëse do të dilnin online tani janë sulur për ta bërë këtë. Kemi shumë supermarkete që duan të aktivizojnë shitjet online. Ka kërkesa nga kancelaritë, të cilat nuk i kishim parë si target tonin”.

Ai sugjeron çdo kompani të përditësojë sot websiten e saj. “Duhet të tregoni se jeni të hapur, i keni marrë masat, nëse bëni delivery apo jo, format e pagesës, etj”, thotë Demeti.

Gjatë webinarit, ai solli shembuj praktikë dhe informacione të nevojshme për teknikat dhe format e lehta të organizimit të punës në distancë.

“Sot ka shumë platforma që mund të përdoren për punën në distancë. Mund t’ju përmend Sluck, ose Trello, ku projektet ndahen në grupe. Ato mund të cilësohen si dhoma dixhitale. Versioni pa pagesë i Sluck të ruan informacionet për 30 ditë. Ndërsa Trello është një platformë për task management. Të ndihmon të ndash dhe të monitorosh detyrat për kohën e realizimit. Ajo të mundëson edhe në matjen e eficiencës”, tha Juli.

Duke iu drejtuar kryesisht kolegëve të tij në fushën e IT, ai shtoi se, “Orët e gjata në punë ulur nevojitet të shoqërohen me pushime të herëpashershme, ushtrime me gira apo disa ushtrime në tapet”.

E ardhmja sipas tij është puna në distancë, ndaj duhen forcuar format e komunikimit dhe organizimit të punës në distancë.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga 300 milionë banorë, rreth 70 milionë punojnë nga shtëpia. Pa ndodhur coronavorus parashikohej që pas rreth 2 vitesh, mbi 200 milionë banorë do të punonin nga shtëpia.

Juli solli në vëmendje një mundësi të ofruar nga Skype. Së fundi ajo ka vënë në dispozicion Meet Now. Platforma mundëson komunikimin edhe për ata që nuk kanë një skype account. “Skype të mundëson një linjë të caktuar që mund ndash nga çdo platformë, pa pagesë”. Me këtë gjetje, skype i gjendet globit në një moment të vështirë dhe kur ka shumë njerëz në botë që nuk janë kaq të informuar mbi teknologjinë.

Nuk ka një kufizim sa persona mund të marrin pjesë. Skype duket më e përshtatshme për kompani të vogla dhe të mesme, ndërsa për kompanitë më të mëdha sugjerohet zoom.

Sipas Demetit, puna e distancuar do të jetë një prej pasojave më të dukshme të kësaj pandemie. Sipas tij, pas periudhës që do të jemi në shtëpi, do të na duhet të ambientohemi edhe me mënyrën se si do të takohemi. Do të vëmë disa rregulla distancimi dhe tendenca më do të jënë blerjet online.