Eksperti gjerman: Ndërtoni skenarët tuaj të biznesit post Covid

Lutz Fissenewert, ekspert i ekonomisë, konsulent vullnetar pranë SES, vjen nga një eksperiencë e gjatë në biznes në fushën e teknologjisë së informacionit, po ashtu edhe në menaxhimin e biznesit në Gjermani. Gjatë Webinarit të mbajtur në Albacademy, ai bëri një krahasim mes zhvillimeve dhe mundësive në të dy vendet. Lutz tha se në Gjermani bizneset po funksionojnë pjesërisht. Për të kuptuar se çfarë duhet të bëjmë, duhet të kuptojmë çfarë ka ndodhur.

Sipas tij, “ajo çfarë ka ndodhur është se ka muaj që flasim për virusin Covid që po merr jetë dhe krahasuar me viruset e 2002 dhe 2008, ka dimensione të tjera. Pandemia nuk është e lehtë të mbahet nën kontroll. Është një infeksion i lartë, për të cilin ende nuk kemi një mjekim”.

Ndaj, sipas tij, parësore është të kujdesemi për vete dhe të tjerët, në mënyrë që dëmet të jenë sa më të ulëta. Qeveritë janë shtrënguese në zhvillimin e jetës publike. Nuk jemi të lejuar të dalim jashtë të takojmë njerëz. Pasojat në industri janë: prodhimi tërësisht i rënë dhe njërëzit nuk po punojnë. Sipas Lutz, “është e domosdoshme të garantohet një zhvillim ditor i aktiviteteve, i jetës, të sigurohet ushqimi ditor dhe kujdesi shëndetësor. Edukimi ka ndaluar. Sistemi shëndetësor ka sfidën të testojë njerëzit. Policia e institucione të tjera kanë sfidën e respektimit të rregullave. Si pasojë, shumë njerëz nuk lejohen të punojnë. Shumë persona nuk mund ta bëjnë punën nga shtëpia.

Pasojat sigurisht që janë ekonomike. Ne duhet të fillojmë të mendojmë për modelin tonë të biznesit dhe  gjithçka që lejohet të bëhet. Për shembull, në Gjermani kemi filluar të prodhojmë maska.

Mund të diskutohet që një pjesë të punonjësve që nuk mund t’i angazhoni ju, të paguhen nga qeveria.

Nevojitet një menaxhim për të siguruar kesh. Nuk flitet për investime afatgjata. Ka disa programe mbështetëse, përmes të cilave ju mund të siguroni kesh. Qeveria në Gjermani ka vendosur që edhe për personat që qëndrojnë në shtëpi të marrin 60% të pagës dhe kostoja kryesore është mbuluar nga qeveria. Gjithashtu, ka programe mbështetje për të paguar qeratë. Në kompani si ato të fluturimit, qeveria po diskuton të jetë aksionere, për të shmangur falimentin…

Sipas Lutz, përballimi në Shqipëri varet nga niveli i aksesit që kanë sipërmarrjet në programe mbrojtje dhe mbështetje. Ndërkohë, mes mundësive për punë, kompania duhet të shohë, a ka rezerva që kërkohen nga tregu? Prodhimi i produkteve ushqimore, aktualisht me kërkesë të lartë, është një mundësi e mirë biznesi, sipas tij. Ashtu si edhe prodhimi i produkteve të kërkuara sanitare si maskat, apo higjenizues. Një mundësi tjetër biznesi është ofrimi i shërbimeve logjistike. “Nëse keni makina që shpërndani produktet e kompanisë tuaj, pse të mos ofroni shërbim shpërndarje edhe për kompani të tjera?”, shprehet ai.

Një tjetër shërbim ku mund të fokusoheni është siguria. “Pak persona lejohen të futen nëpër supermarkete. Dikush mund të menaxhojë situatën jashtë supermarketeve, ndaj vendosja e personave edhe me siguri të ulët është një zgjidhje”, sipas Lutz.

Gjatë Webinarit të mbajtur, ai theksoi se duhen pasur parasysh disa rregulla për restart. “Periudha e rifillimit nuk do të jetë e lehtë. Ndaj stop me pagesat. Nuk është e këndshme, por po e bëjnë të gjithë”, tha ai. Eksperti gjerman solli në vëmendje se, Qeveria duhet të jetë e zgjuar të mbajë gjallë kompanitë e vogla. Në Gjermani po mbështeten për tre muaj rresht. Ato do të mbijetojnë pasi nuk kanë detyrime për të paguar për këtë periudhë. Nuk është ide e mirë të fokusohemi vetëm tek shpëtimi i kompanive të mëdha. Nevojiten edhe të voglat, përndryshe ekonomia nuk do të funksionojë.

Pyetjes se si e sheh trendin në Shqipëri, ku çdo kompani synon të shesë online, Lutz iu përgjig, “Nuk besoj se njerëzit janë të gatshëm të blejnë vetëm online. Blerjet janë sexy në dyqan, pasi shikon e provon produkte. Do të vazhdohet me shitjet online, por në një nivel më të ulët”.

Duke iu drejtuar sipërmarrësve, ai tha, “Ju duhet të keni skenarë për rifillimin. Asgjë nuk është e qartë. Duhet të shikoni dritën në errësirë, të zhvilloni biznesin dhe të mendoni për të ecur përpara”.

Përsa i  përket sektorit të turizmit, tërësisht të rënë, ai mendon se do të kthehet shumë shpejt, pasi ka një dëshirë të madhe për të dalë e për të pasur liri. “Një nga liritë është udhëtimi, por nuk mund të jemi shumë optimist. Nevojitet pak kohë sa njerëzit të keni besim dhe disa para në xhep e pastaj të reagojnë”, tha Lutz.

Sipas tij, kur kriza të ketë mbaruar, shumë gjëra janë të dëmtuara. Restorantet do të jenë plot sërish, por udhëtimet ndërkombëtare do të rimëkëmben më ngadalë.

Ajo çfarë nevojitet është të ndërtohen skenarët e rifillimit. Çfarë mund të ndodhë dhe çfarë mund të mos ndodhë. Kështu përgatiteni për çfarë mund të bëni. Sigurisht, nuk është makina e para gjë që do të blini. Do të shikoni situatën. Duhet të shikoni se si do të duket biznesi në vijim, në kushtet kur edhe paratë do të jenë të pakëta në qarkullim.