Komunikimi, kyç po aq sa investimi në biznes. Albana Muçaj në Webinarin e AlbAcademy

Pandemia dhe të gjitha masat e marra për t’u mbrojtur prej saj, kanë nxjerrë në pah nevojën për një komunikim cilësor. Në kushte pasigurie për shëndetin, apo vendimesh të menjëhershme nga qeveria për mbylljen e shumë aktivitete dhe qarkullimin e njerëzve, tensioni ishte i lartë që në ditët e para të Covid. Ai vazhdon të jetë edhe sot, kur një pjesë e mirë bizneseve dhe qarkullimit nuk është hapur, ndërsa sipërmarrjet që kanë nisur aktivitetin duhet të përballem me rregulla të forta mbrojtjeje. Në Webinarin e zhvilluar nga AlbAcademy, Albana Muçaj foli rreth komunikimit cilësor. Ajo është drejtuese e qendrës multifunskionale Kallz dhe kryeredaktore e Businessmag.al.

Sipas saj, sot komunikimi është multitaskting. “Sapo u identifikuan të infektuarit e parë shumë prej sipërmarrësve iu desh të angazhojnë punonjësit nga shtëpia, ose t’i pushonin nga puna”, tha ajo. Në kushtet e një ndryshimi drastik, kompanitë reaguan menjëherë. Sipas Muçajt, “Në këtë pikë është e nevojshme të kuptohet situata për t’u komunikuar më tej te punonjësit, klientët, partnerët në biznes dhe familjarët”. Kur të gjitha këto biseda duhet të bëhen në një moment të pazakontë, pasiguria është e madhe dhe pikëpyetjet janë të mëdha. Nuk e njohim plotësisht të nesërmen dhe nuk e dimë si do të veprojmë.

Ndaj sipas themelueses së Kallz, “duhet të kuptojmë si po flasim fillimisht me veten tonë, për të vijuar më tej me punonjësit, klinetët, familjen. Komunikimi lidhet me gjendjen emocionale dhe reagimet mund të jenë të forta sidomos kur kompanitë nuk janë në gjendje të mirë financiare”.

Pas vlerësimit të situatës dhe vendimit për të vepruar, nevojitet të kalohet direkt në komunikim. “Mua më është dashur të komunikoj më stafin, me grupe të ndryshme prindërish: ata të programit pas shkolle dhe të kurseve. Falë teknologjisë kemi nisur komunikimin me ta menjëherë pas vendimit për të mbyllur qendrën”.

Sfidat e komunikimit po prekin këdo. Prindërit që duhet të punojnë nga shtëpia dhe njëkohësisht menaxhojnë detyrat e fëmijëve, janë disa prej atyre që po bëjnë një komunikim multitasking. “Telefoni bie për punë, mësuesit shkruajnë për detyrat e fëmijëve, etj. Është e lehtë të thuash se duhet tolerancë në momente që na vënë në provë. Komunikimi cilësor në këto raste varet shumë nga përgatitja jonë e mëparshme për të përballuar sitata komplekse”, tha Albana. Sipas saj, komunikimi dhe kujdesi për familjarët është i rëndësishëm gjatë kësaj krize shëndetësore. Duke sugjeruar durim dhe tolerancë, ajo kujtoi se, familja e cila mund të duket burim stresi (kur flasim për detyrat e fëmijëve apo shpenzimet familjare), është edhe burim gëzimi. Komunikimi, koha dhe punët së bashku janë një moment relaksi.

“Ndër komunikimet më të vështira në këtë periudhë kanë qenë ato me punonjësit dhe kontraktorët. Sipërmarrësit duhej të komunikonin shkurtime të pagave, shkurtime të orareve të punës apo edhe pushime nga puna”. Duke sjellë përvojën e kompanive shqiptare, ajo tha se shumë kompani e kanë përballuar mirë këtë, pasi sipërmarrjet vinin edhe nga situata të tjera të vështira si krizat e viteve 1997 dhe 2008”. Empatia ka mbizotëruar, sipas saj.

Por cilat janë disa prej këshillave për komunikimin sot?

“Nëse merret një vendim për të pushuar njerëz nga puna ose për t’i reduktuar orarin e punës është mirë të lidhemi përmes një videocall. Nëse keni në plan të pushoni edhe drejtorin e burimeve njerëzore, mos e vini atë që të pushojë punonjësit”, tha ajo. Sipërmarrësit duhet të kenë parasysh të cilësojnë arsyen e pushimit. Nëse punonjësi nuk ka pasur një performancë të mirë më parë, apo ndonjë argument tjetër, nuk vlen të përmendet sot.

Pse merr rëndësi komunikimi i pushimeve nga puna? Një anketë e shoqatës së prodhuesve nxori në pah se 70% e kompanive kishin në plan të pushonin nga puna 70-90% të punonjësve. Flasim për më shumë se 90 kompani të mëdha. 10% e tyre planifikonin gjatë Marsit se do të mbyllnin tërësisht aktivitetin. Ndërkohë, ministria e Financave ka deklarar që numri i të papunëve është 50-60 mijë.

Ajo tregoi se në kushte të pazakonta ndryshon edhe strategjia e komunikimit të kompanisë.

Një studim i kompanisë britanike të komunikimit, Kantar, tregon se 70% e kompanive nuk duhet të shfrytëzojnë krizën shëndetësor për t’u promovuar. Por vetëm 8% mendojnë se kompanitë do të presin  tërësisht reklamat. Nuk duhet të flemë dhe të heshtim. Por, nevojitet më shumë kujdes.

Albana prozantoi disa rregulla bazë për të komunikuar.

Mos e shuaj tërësisht komunikimin. Duhen gjetur tema të lidhura me situatën aktuale kur shumë kompani janë solidarizuar. New Media Communications dhe Businessmag kanë qenë të vëmendshme për të ndarë informacione të dobishme me audiencën rreth sigurisë së shëndetit, kujdesit për higjenën.

Nuk duhet të jemi formalë në komunikim. Është mirë që disa zakone të mira që krijojmë tani të mund t’i mbajmë më vonë. Është mirë të interesohesh për tjetrin dhe kjo situatë tregoi se shëndeti është parësor. Edhe komunikimi me email nevojitet të mos jetë formal.

Sipas studimit të Kantar, 75% e klientëve kanë nevojë të dinë si po reagojnë markat në këtë periudhë. 80% e tyre interesohen që kompanitë të kujdesen për punonjësit. “Është mirë të komunikohet sa më shpejt që merret vendimi. Komuniko qëndrimin tënd shpejt, qartë dhe merr feadback”.

Në këtë periudhë ka pasur prodhim përmbajte dhe një vëmendje më të madhe tek mediat sociale, Profesionisti duhet të jetë empatik në prodhimin e përmbajtjes dhe të mos shpërndajë informacione të të tjerëve. Mesazhet nevojitet të jenë autentike dhe të vijnë nga brenda, në mënyrë që të na përfaqësojnë, thotë ajo.

Nevojitet të jemi të vëmendshëm ndaj pandemisë përmes këshillave specifike lidhur me situatën, por edhe për kompaninë apo produkte të tjera të reja. Sipas Albanës, “ka media ndërkombëtare, por edhe në vend, siç është Businessmag, që u kushtojnë vëmendje historive të suksesit, personazheve, dhe temave të tjera jo covid. Mediaset bëri të ditur se pavarësisht dhimbjes se madhe që Italia po kalonte, ka vendosur të transmetojë disa emisione argëtuese. Koronavirus është tema kryesore, por jo tema e vetme. Ne mund të komunikojmë risi, apo zhvillime që po ndodhin”.

Ajo kujtoi se risitë kanë qenë të shumta në fushën e biznesit. “Kohët e fundit janë krijuar shumë platforma dhe shërbime online. Janë përshpejtuar projekte që ishin në planet e sipërmarrjeve. Dhe të gjitha këto histori janë me interes ashtu si edhe fakti si po mbijeton një kompani. Këto janë lajme të mira, që mund t’i komunikojmë ashtu si nuk do të ishte mirë të komunikohen histori suksesi bazuar në situatën aktuale”.

Në mediat sociale dhe në websitë, ajo kujtoi se, kompania duhet të tregojë nëse është duke zhvilluar aktivitet.

“Në Kallz, kemi informuar prindërit dhe fëmijët për mbylljen e aktivitetit, por më tej në website dhe mediat sociale kemi ndarë artikuj rreth librave që mund të lexojnë fëmijët, artikuj rreth aktiviteteve që mund të zhvillojnë, etj”.

Fushatatat e marketingut. Shumë fushata mund të kenë rënë dhe kanë dalë jashtë kontekstit. Sipas Albanës, nëse keni një produkt të ri për të prezantuar, I cili nuk ka të bëjë me situatën Covid, shtyjeni për një moment tjetër. Nëse jeni në mes të një fushate bamirësie, ajo mund të ndryshojë fokus.

Ji kreativ. Kjo është periudhë për të qenë kreativë, për të sjellë produkte të reja, e ndërmarrë hapa që ishin në plan dhe kompanitë shqiptare ishin dinamike në këtë drejtim.

Sipas Albanës, sipërmarrjet nevojitet t’i kushtojnë vëmendje komunikimit, aq sa një pjesë të  shpenzimeve të marketingut t’i kalojnë në komunikim.

E pyetur nga audienca, tha se, “ajo çfarë na ndihmon të kemi një komunikim të gjithanshëm është empatia, komunikimi i thjeshtë dhe të qenit vetvetja”.